Pas dërgimit të projekt-propozimit nga organizata jonë “Vizioni për Zhvillim dhe Kooperim” (VZHK) tek Swiss Barakah, përfaqësuesja e këtij fondacioni vizitoi Shkollën Fillore “Selami Hallaçi” në Rahovicë për të parë nga afër gjendjen infrastrukturore të objektit ekzistues. Muret e plasaritura, dyshemetë e dëmtuara dhe mungesa e pajisjeve bazike pengojnë zhvillimin e një procesi mësimor cilësor.

Në përgjigje të projektit të dërguar nga VZHK, Swiss Barakah shprehu gatishmërinë për të qenë partner aktiv në ndërtimin e një objekti modern që përmbush standardet e nevojshme për mjedisin mësimor.
Ky bashkëpunim është vazhdimësi e përpjekjeve për të përmirësuar jetën në Luginën e Preshevës përmes investimeve në arsim dhe zhvillim të qëndrueshëm. Swiss Barakah do të angazhohet në të gjitha fazat e projektit, nga planifikimi deri te mbikëqyrja e punimeve, duke siguruar transparencë dhe raportim të rregullt.



Me përkushtimin e përbashkët, ndërtimi i shkollës së re në Rahovicë do të sjellë përmirësime të prekshme për nxënësit.
Shërbimi për informim pranë– VZHK-së
02.06.2025.